Në qendër të qytetit, pranë themeleve të ish Xhamisë së Merasë, pak poshtë tregut të gjelbërt, shtrihet ky monument historik i cili flet shumë për të kaluarën e pasur të Ulqinit.
Tyrbet zakonisht lidhen me varreze e figurave të rëndësishme të të kulturës islame dhe dëshmojnë rëndësinë historike të trashëgimisë kulturore.
Vetë xhamia e Merasë, e ndërtuar nga kapedani ulqinak Ceno Lika në 1779, së bashku me varrezet e saj u shkatërrua fatkeqësisht në 1967 për t’i hapur rrugë një stacioni autobusi. Megjithatë, Tyrbeja i ka rezistuar kohës dhe zhvillimit urban, duke ruajtur një pjesë të historisë së Ulqinit.
Me përmasa 4×4 metër, kjo tyrbe ka arritur që t’i qëndroj periudhës së prishjeve të trashëgimisë kulturore islame. Në këtë tyrbe janë dy varre, gurët e të cilëve janë shkruar me shkrim shqip dhe osman, gjatë restaurimit të Tyrbes. Këtu ndodhet varri i imamit të Xhamisë së Merasë, Molla Adem Ibrahim Pulti, çka dëshmohet edhe me dokumente arkivore .
Duke e ditur se në këtë hapsirë kanë qenë varrezat e një pjese tëqytetit, pranë saj është zbuluar një pllakë guri më e vjetër, e dëmtuar, e cila u vendos pranë dy gurvarreve në shenjë nderimi. Në pllakë lexohet një mesazh prekës në osmanisht: “Ai (Allahu) është i Gjallë dhe i Përjetshëm. Viti 1258 H. Bukuria e dunjasë është si hija e ëndrrës, por mendja nuk arrin dot ta kuptojë. Qoftë i mëshiruar, Aliu, biri i Fazliut, për shpirtin e tij, Fatiha.” Ky mbishkrim jo vetëm që ofron një vështrim të shkurtër në reflektimet shpirtërore të kohës, por gjithashtu shënon vitin sipas kalendarit islamik hixhri.
Me qëllim të restaurimit sa më profesional të Tyrbes, familja Pulti në vitin 2014 iu drejtua Agjencionit Turk për Zhvillim – TIKA që zhvilloi renovimin e saj, kurse Komuna e Ulqinit ka siguruar ndriçimin.
Ruajtja dhe mbrojtja e saj janë thelbësore për ruajtjen e një lidhjeje me të kaluarën dhe për edukimin e brezave të ardhshëm mbi trashëgiminë.