Tyrbeja e familjes Resulbegu, e njohur edhe si Tyrbeja e Mezjahut, përfaqëson një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të Ulqinit, e vendosur në anën jugore të tregut të gjelbër. Kjo Tyrbe është një shembull i arkitekturës prej guri të gdhëndur imët, me katër kolona të harkuara që mbështesin njëçati gjashtëkëndore, e cila ngrihet më tej në një formë tetëkëndore. E mbuluar me pllaka tradicionale, Tyrbeja ka përmasa 4.8 x 4.4 metra. Hapsira brenda saj ngrihet në një kube, duke i shtuar monumentalitetin e saj.
Sipas fotografive të vjetra ngjitur me këtë Tyrbe ka ekzistuar edhe një tyrbe tjetër e cila është prishur gjatë punimeve kur është zgjeruar rruga.
Në këtë Tyrbe ndodhen dy varre me mbishkrime arabo-osmane, Arsllan Begu dhe Mehmed Begu, djemt e Jusuf Begut. Më vonë në varrin e Mehmed Begut u varros edhe Selim Begu, ndërsa në varrin e Arslan Begut në vitin 1974 u varros Fehim Begu.
Në këto dy gurvarre janë të shënuar mbishkrimet në osmanisht, përkthimi i të cilëve është: “Ai (Allahu) është i Përhershëm, Jusuf Beg Zade, qoftë i mëshiruar dhe i falur, nevojtar për mëshirën e Gjithëfalësit. Arsllan Begu, për riza të Zotit, shpirtit të tij, Fatiha, Viti 1326 h”, (1908). Kurse gurvarri tjetër: “Ndërmjetësimi im është edhe për mëkatarët e ymetit tim, më fal o Zot i Gjithësisë, Zot i Arshit të Madh, dritës së Kur’anit, vëllezërit që vizitojnё varrin tim, shpirtit tim le t’i bëjnë dhuratë një Fatiha, Jusuf Beg Zade, Mehmet Beg, për riza të Zotit, Fatiha, viti 1329” (1911).