Xhamia e Detarëve është një nga monumentet më domethënëse të arkitekturës dhe trashëgimisë kulturore islame në Ulqin.
Përveç emrit aktual që bartë Xhamia e Detarëve, sipas burimeve të shkruara atë e gjejmë edhe si Xhamia e Ranës, e Ibrahim Pashë Bushatliut, e Moles.
Ekzistojnë disa mendime rreth themeleve të kësaj xhamie. Legjendat rreth themeleve të para të kësaj xhamie flasin se ju takojnë shumë më përpara se Ulqini ti kalojë nën administrim Perandorisë Osmane, si rezultat i kontakteve me tregtarët mesdhetar musliman.
Ndërsa sipas dokumentacionit arkivor është vërtetuar se kjo xhami u ndërtua nga Ibrahim Pashë Bushatliu në vitin 1798, duke lënë për mirëmbajtjen e saj katër dyqane në pazarin e Shkodrës.
Referuar legjendes që themelet e kësaj xhamie kanë qenë përpara Perandorisë Osmane, mund të supozohet se Ibrahim Pasha ta ketë ndërtuar atë mbi themelet e një objekti të mëparshëm, qoftë edhe e tipit të mesxhidit.
Arkitektura e saj ishte një kryevepër, me një minare të lartë që dominonte peizazhin detar të gjirit të ranës. Minarja e kësaj xhamie sherbente si një fanar ndriçues për detarët, e ndërtuar prej guri të gdhendur dhe të lidhur me plumb cilësor, ishte pikë referimi për anijet.
Xhamia shquhej për bukurinë e saj me qemera përballë portes hyrëse të cilat rrethonin hajatin dhe me një çati katër ujnash. Vendndodhja në ranë bëri që të njihej si “Xhamia e Ranës”. Gjithashtu, për shkak të rëndësisë që kishte për detarët, ajo njihej edhe si “Xhamia e Detarëve”.
Fatkeqësisht, në vitin 1931, autoritetet e Mbretërisë së Jugosllavisë e rrënuan këtë xhami dhe zona ku ndodhej më vonë u shëndrrua në parking.
Zbulimi i themeleve të xhamisë gjatë ndërtimit të një objekti privat në vitin 2003 paraqet një moment të rëndësishëm në ruajtjen e trashëgimisë kulturore në Ulqin. Pas një procedure pesëvjeçare të kthimit të lokacionit Bashkësisë Islame, restaurimi filloi në vitin 2008 nën mbikëqyrjen e Bashkësisë Islame – Ulqin duke i realizuar punimet fillestare me mjetet e grumbulluara nga populli i Ulqinit, dhe më pas punimet deri në hapjen e xhamisë u realizuan nën mbikqyrjen e Bashkësisë Islame – Ulqin dhe Myftinisë së Alanjës nga Turqia, me donacion të Mehmet Nevzat Shifasë dhe djemëve të tij.
Hapja solemne e xhamisë më 1 qershor 2012 simbolizon ripërtrirjen jo vetëm të strukturës fizike, por edhe të identitetit shpirtëror të komunitetit.
Xhamia është e dekoruar me kaligrafi dhe dekorime të stilit barok me efekt 3D.
Xhamia e Detarëve tani qëndron si një fanar i traditës, besimit dhe komunitetit, duke mirëpritur besimtarët dhe vizitorët me bukurinë e saj dhe rëndësinë historike.
Dimensionet: 16,5 X 7,5 m
Lartësia e minares: 31 m