Xhamia e Namazgjahut, e njohur ndryshe si Xhamia e Mezjahut (Pazarit) ose Xhamia e Madhe, është një prej monumenteve më të rëndësishme të qytetit të Ulqinit dhe një simbol i trashëgimisë kulturore islame.
U ndërtua në vitin 1728 nga Haxhi Sulejman Mujali, një figurë e rëndësishme e vendit. Kjo xhami bart një histori të pasur dhe një arkitekturë të veçantë që reflekton konceptin islam të kohës.
Arkitektura e Xhamisë është karakteristikë e stilit tradicional të shekullit të 18-të, me një minare të lartë që shquhet në peizazhin urban të Ulqinit.
Ende ulqinakët fjalën “Mezgjah” e përdorin në kuptimin e tregut, pazarit apo çarshisë.
Ndërsa emri tjetër i ngjashëm “Namazgjâh”, përdoret në kuptimin e ambijentit të hapur për namaz, duke theksuar rëndësinë e saj si qendër e adhurimit dhe bashkësisë islame.
Ndërtesa është e ndërtuar nga guri, me një minare po ashtu prej guri që ka mbijetuar ndër shekuj. Interieri i xhamisë është po aq impresiv, me një tavan prej druri dhe mahfil që mbështeten në shtylla druri, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe mikpritëse për besimtarët.
Xhamia ka qenë qendra e jetës fetare në Ulqin për dekada me radhë, duke u shërbyer jo vetëm si vend adhurimi, por edhe si një qendër e arsimit islam, me një medrese që ka qëndruar pranë saj, mehqemenë (Gjykatën e Sheriatit), Beledijen, Sahat Kullën si edhe dyqanët e vakëfit. Kjo ka ndihmuar në ruajtjen dhe transmetimin e dijes dhe kulturës islame brez pas brezi.
Pavarësisht se ka pësuar dëmtime nga tërmete dhe ka kaluar përmes disa restaurimeve, Xhamia e Mezjahut mbetet në gjendje të mirë dhe vazhdon të jetë një pikë referimi për komunitetin musliman. Restaurimi i fundit i fasadës së xhamisë në vitin 2011 si edhe ndrrimi i çatisë, enterierit dhe rregullimi i abdes’hanes së re në vitet 2023-2024, ka ndihmuar në ruajtjen e bukurisë së saj arkitektonike.
Xhamia është klasifikuar si monument i mbrojtur kulturor i kategorisë III nga Enti për Mbrojtjen e Monumenteve të Malit të Zi, duke e bërë atë një pjesë të pandashme të trashëgimisë kulturore të rajonit.
Dimensionet: 19 X 8 m
Lartësia e minares: 16 m