Xhamia e Pashës

Xhamia e Pashës është një nga monumentet më të rëndësishme kulturore historike në Ulqin nga periudha Osmane. 

Referuar dokumentacionit arkivor kjo xhami herë na shfaqet si “Xhamia e Pashës” e here si  “Xhamia e Kronit së Pashës”.

Ekzistojnë disa mendime rreth ndërtuesit të kësaj xhamie. Duke qenë se në afërsi të kësaj xhamie deri vonë ka qenë Kroni monumental i Pashës i cili ka furnizuar me ujë xhaminë dhe më pas hamamin, si edhe të emërtuarit e saj nga dokumentacioni arkivor si “Xhamia e Kronit të Pashës” na shtyn në mendimin që në fillim në këtë hapsirë të jetë ndërtuar kroni nga Pashai. Me kalimin e kohës hapsira rreth kronit duke përfshirë xhaminë dhe hamamin të cilat furnizoheshin me ujë nga kroni të jetë bërë shkak i marrjes së emrit të Pashës duke u quajtur si Xhamia e Kronit së Pashës apo Xhamia e Pashës.

Supozohet se kjo xhami u ndërtua në vitin 1719. Një prej emrave që është vën në lidhje me këtë xhami është Ali Pasha. 

Një tipar domethënës i Xhamisë së Pashës është hamami, i ndërtuar në vitin 1743, i cili furnizohej me ujë përmes kanaleve prej guri nga Kroni i Pashës. Ky është një shembull unik, sepse xhamia e Pashës është e vetmja në Mal të Zi dhe më gjerë që ka një hamam. Në të njëjtin vit, pashai i Shkodrës, Jusuf Çausholli ndërtoi edhe Shtëpinë e Pashës.

Përveç kësaj, në haremin e xhamisë gjendet një tyrbe me dy varre, në të cilën janë të varrosur imam Husein Efendiu (v.1193 h./1779 m.) dhe Halili, i biri i Nalut Balit (Bala) (v.1216 h./1801 m.), duke theksuar më tej rëndësinë shpirtërore të këtij vendi.

Arkitektura e xhamisë është shembull tipik i ndërtimit me gurë në hapsirën tone. Nga të gjitha xhamitë e qytetit, vetëm minaret e xhamisë së Pashës, Bregut dhe të Mezjahut janë të ruajtura në formën e tyre origjinale. Rinovimi i vitit 1864 e ruajti dhe përmirësoi më tej këtë ndërtesë, e cila është e shënuar edhe në mbishkrimin në murin e xhamisë.

Sot, xhamia e Pashës qëndron në listen e monumenteve kulturore të mbrojtura, kategoria III-të, duke dëshmuar historinë dhe traditën e pasur të Ulqinit. Arkitektura e saj, si dhe historitë e lidhura me të, tërheqin vizitorë nga e gjithë bota, duke u ofruar atyre një pasqyrë të së kaluarës dhe kulturës së këtij rajoni.

Dimensionet: 13 X 7 m

Lartësia e minares: 19 m

Scroll to Top